Kontratë me Rejën ka përfunduar dhe në ditët në vijim pritet emri i ri që do e pasojë në stolin e Kombëtares shqiptare. Armand Duka ka dhënë një intervistë për “Studio Sport” në “Vizion Plus”, ku ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj çështjeje. Kreu i FSHF-së zbulon se shanset janë më të mëdha që këtë herë trajneri të mos ndiqet trendi i viteve të fundit për të pasur trajner të shkollës italiane, ndërsa nga ana tjetër ka pohuar se ka pasur diskutime edhe me trajnerë shqiptarë.
“Ka përfunduar kontrata me trajnerin aktual vetëm pas ndeshjes me Armeninë. Nuk është etike që ne të fillonim të diskutonim me emra të tjerë kur ishim në kontratë me një. Nuk është mëkat ta bësh, por nuk ishte e domosdoshme. Kemi filluar pas përfundimit të ndeshjes me Armeninë. Kemi pasur një listë goxha të gjatë dhe kemi arritur në një short listë. Shumë shpejt, në pak ditë, do ta mbyllim si temë.
Ne kemi folur edhe me trajnerë shqiptarë. Kemi biseduar. Dikush e ka pranuar dhe dikush nuk e ka pranuar. Jemi në kohë deri në janar. Do jetë i shkollës italiane? Më shumë mundësi ka jo. Kambiaso ka qenë në Tiranë, nuk është ndonjë sekret i madh. Kemi biseduar me të dhe një pjesë të stafit që ai pretendonte. Kambiaso, Di Biaxho, Odo etj.“, është shprehur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/