Nëse një punë shihet vetëm në bazë të rrogës që përfiton dhe jetëgjatësisë së kontratës, asnjëherë nuk do të japi frytet e duhura. Vetëm në bazë të pasionit dhe dashurisë që i kushton asaj, rezultatet mund të vijnë dhe tejkalohen. Ky është rasti i Rrahman Hallaçit, njeriut që pasi e veshi fanellën e Kukësit, nuk e ndërroi më.
Njeriut që e udhëhoqi këtë skuadër drejt majës së Europës, megjithëse fati i keq bëri që Trabzonspori të na eliminonte në fazën e fundit. Të na eliminonte, jo më kot e theksuam, pasi në fare pak vite, Kukësi u kthye në “ekipin flamur” të Shqipërisë. Jo gjithmonë një lojtar i mirë mund të kthehet në trajner të mirë, por duket se ky nuk është rasti i Hallaçit.
Rrahmani ka pikësëpari personalitetin dhe komunikimin e duhur që arrin të prek zemrat e futbollistëve përpara se të rris potencialin e tyre në aftësi teknike apo taktike. Sigurisht, “personat e butë” nuk mund të kenë jetëgjatësi të madhe në këtë profesion, e veçanërisht në një ambient si ai i Kukësit. Por Hallaçi e njeh të mesmen e artë, nuk ngurroi që t’i tregonte vendin Barbosës pas mërzisë që shfaqi gjatë ndërrimit në ndeshjen me Partizanin: “Jam unë trajneri këtu”.
Gjithmonë ka qenë aty si personi i parë për të dalë përballë flakëve kur Kukësi po shkonte drejt shkrumbimit, quhet trajner emergjence. E gjen ekipin sërish në një moment kritik, përpara tij kishte dy ndeshje si finale: “Partizani dhe Laçi”. Por sërish ngrihet mbi vështirësitë dhe arrin që të mund Laçin, skuadrën që me Mezanin po njihte vetëm fitore.
Padyshim që për hir të gjithë kësaj panorame do të ishte krejtësisht e padrejtë që Hallaçit të mos i jepej mundësia për të vazhduar si trajneri i parë i skuadrës së Kukësit. Kjo ishte ndeshja e fundit për verilindorët sa i përket 2022, ndoshta e fundit edhe për Hallaçin. Në stafin drejtues do të bisedojnë për trajnerin e ardhshëm dhe ende nuk dihet nëse do të vazhdohet me Rrahmanin. Por sido që të shkojë historia, një gjë mund të thuhet me siguri: “Cilido të jetë emri i radhës që mund të ulet në pankinën e Kukësit, askush nuk do ta ndjejë peshën sa Hallaçi”. Të lumturohesh si ta kesh shënuar vetë golin e triumfit kur fiton dhe të dëshpërohesh si të kesh shënuar një autogol në humbjen e ekipit tënd. Nëse një trajner ka këto përjetime në drejtimin e një klubi, ai mbetet zgjedhja më e mirë. /Sport Ekspres/