“Kukësi do vetëm trofe”! Hallaçi tregon nëse do të mbetet si trajner i ekipit të parë: Ndonjëherë bëj shaka me lojtarët, i them se janë rehat…

Kukësi i Hallaçit po arrin të reagojë në situatën e vështirë. Verilindorët kanë arritur që të fitojnë ndaj Laçit të Mezanit në shifrat 1-0. Një ndeshje e vendosur nga goli i Gjelbrim Taipit në minutën e 33, që mjaftoi për t’i dhënë tre pikët.

Një sukses ky i Hallaçit që mori ekipin në situatën delikate dhe ia doli përballë kurbinasve. Që pas ardhjes së Mezanit, te Laçi nuk e kishin provuar shijen e humbjes, por as të barazimit. Të mësuar me fitore, këtë herë janë ulur me këmbë në tokë. Ndërkohë pas kësaj fitore, Kukësi i largohet vendit të fundit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Hallaci: “Jam i kënaqur, donim ta mbyllnim me fitore. Tani duhet të shohim gjërat me qetësi. Ekipi është ndërtuar për të qenë në kreun e Superiores. Skuadra tregoi grintë dhe dëshirë, kishin shpirtin e sakrificës. Jam i kënaqur, por kampionati është i gjatë. Kukësi është futur gjithmonë për trofe, por duhet të jemi të kujdesshëm në merkaton e janarit. Lojtarët kanë shumë cilësi. Nëse vazhdojmë kështu atëherë rrugën e kemi të hapur. Vazhdimi si trajner te Kukësi? Unë jam brenda familjes. Mu dha mundësia për të qenë trajneri i parë. Do të bisedojmë me drejtuesit e klubit dhe fjalën e fundit e kanë ata, do të shohim nëse do të vazhdoj. Ndonjëherë bëj shaka me lojtarët dhe i them: “Ju jeni rehat, mbaroni ndeshjen dhe ikni, unë duhet të vazhdoj akoma”. Sot kemi fituar, por nuk do të festojmë, nuk është ky momenti”.

Mezani: “Nuk na falet se ishim në moment të mirë. Por në pjesën e parë nuk ishim në ritëm, në të dytën ndryshuam. Me pak fat në pjesën e dytë mund të shënonim dhe të kishim rezultat tjetër. Nuk jemi futur në fushë për të qëndruar në mbrojtje, por për të bërë lojën tonë dhe për të fituar. Por edhe Kukësi nuk na vendosi shumë në vështirësi, një goditje dënimi ishte ajo që solli golin. Do të donim ta mbyllnim mirë këtë vit, por duhet të përmirësohemi dhe të rregullojmë gabimet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *