Me trup në Durrës dhe me mendjen në kryeqytet! Tirana ka humbur ndaj Teutës me shifrat 1-0 në ditën e sotme. Edi Martini tregon edhe njëherë tjetër se e di sesi munden bardheblutë. Durrsakët ishin dukshëm më mirë se kundërshtari i tyre.
Një gol do të shënohej nga ana e Beqjas në fundin e pjesës së parë, por arbitri do ta anulonte me VAR. Në pjesën e dytë ishte sërish Teuta që arriti të shënonte, këtë herë me një goditje nga distanca e Albion Markut. Me topin e devijuar, portieri Bekaj e kishte të pamundur për të reaguar. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Oversport”:
Orges Shehi: “Kjo është humbje që të dhemb. Kemi shumë pak kohë për derbin me Partizanin. Mos të qajmë këtë që iku, por është më e rëndësishme ajo që vjen. Nuk u shfaqëm ashtu si duhet në lojë. Teuta kishte më tepër dëshirë, më tepër grintë. Lojtarët individualë i fituan duelet. Kur i humbet të gjitha duelet, pothuajse, atëherë ekipi kundërshtar është më pranë fitores. Pastaj u ndëshkuam me një gol aksidental. Kur shkon në derbin me një humbje para, ana psikologjike nuk është e duhura. Por derbi nuk ka favorit. Teuta është e fundit, por ka skuadër të mirë dhe është e çuditshme që ndodhej në atë vend. Sot meritojmë një 0, një 0 të madhe. Duhet të ngulim këmbët mirë në tokë”.