Partizani ka arritur të fitojë duelin ndaj Kukësit me shifrat 2-1. Të kuqtë vazhdojnë të tregojnë të njëjtën fytyrë. Pjesa e parë ishte fantastike për kryeqytetasit që nuk i lanë asnjë mundësi kundërshtarit për të reaguar. Goli i parë erdhi nga Bitri që në minutën e 25 realizoi një silurë nga distanca që i la të gjithë pa fjalë, ndoshta mund të jetë më i bukuri i karrierës së tij. Vetëm pesë minuta më vonë ishte Skuka që dyfishoi shifrat.
Kur u mendua një ndeshje e mbyllur, Kukësi e shtoi ndjeshëm ritmin në pjesën e dytë dhe tregoi fytyrën tjetër. Barbosa do të vinte një penallti nga pakujdesia e Bitrit në 70 dhe Basha do të shënonte, pavarësisht se Rexhepi po provonte që ta shpërqendronte. Shumë vuajtje nga Partizani në minutat e fundit, që i kthehen makthet e ndeshjes së fundit për mënyrën sesi u barazua nga Erzeni. Megjithatë të kuqtë arritën të marrin tre pikët dhe shkojnë në kreun e Superiores, të paktën përpara se Tirana të luajë ndaj Teutës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Kolela: “Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Nuk dua të them fjalë negative, kemi qenë shumë të përqendruar deri në fund. Jam i kënaqur. Nuk u shqetësova dhe aq shumë në fund, thjesht doja që ekipi të menaxhonte sa më mirë rezultatin. Hadroj? Ka pasur një dëmtim, por përderisa nuk jam mjek, nuk mund të them dot gjë. Isha i bindur për zëvendësimet që kam bërë dhe mendoj se kanë bërë shumë mirë. Ekipi ynë e uli ritmin në pjesën e dytë, duhet të përmirësohemi. Lojtarëve të rinj duhet t’i japim më shumë hapësirë. Do t’i jepja një 6.5 Partizanit për ndeshjen sot”.
Hallaçi: “E dija që skuadra ka ndierë vështirësi në mbrojtje. U mundova që të punoja më shumë në fazën mbrojtëse në këto pak ditë që kam në ekip. Më vjen keq për golin e dytë të pësuar pasi nuk i kisha thënë mbrojtësave që të bënin ato lëvizje. I thashë djemëve që goli i dytë është i patolerueshëm që ta pësoj një ekip që e drejtoj unë. Pjesa e dytë ishte një skuadër e vërtetë, kishte grint dhe dëshirë. Barbosa? Normalisht që ka pasur pakënaqësi kur u largua, por jam unë trajneri këtu. Barbosa dhe të gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë që do mbajnë përgjegjësitë e tyre për veprimet që bëjnë”.