“Më quani të çmendur, por unë dua ta fitoj Botërorin”! Trajneri i Marokut tallet me Portugalinë dhe Spanjën: Jepuni një pikë këtyre që mbajnë topin 60%

Regragui ka dhënë konferencën për shtyp para ndeshjes me Francën. Trajneri i Marokut është shprehur se kërkon të fitojë Botërorin pas arritjes në gjysmëfinale, pavarësisht se një deklaratë e tillë tingëllon e çmendur.

“Ne po luajmë kundër kampionëve aktualë të botës. Ata kanë lojtarë të mëdhenj dhe trajnerin më të mirë në botë. Megjithatë, ne besojmë se mund të kalojmë dhe pse jo të besojmë se mund ta fitojmë Kupën e Botës. Nuk jemi të lodhur dhe nesër djemtë do të lënë zemrën në fushë si në çdo ndeshje.

Nëse dikush e njeh Mbappe më mirë se unë, ai është Hakimi. Ne nuk kemi ndonjë taktikë të veçantë sepse Franca nuk është vetëm Mbappe, Griezmann apo Dembele. Do të jetë një duel i mrekullueshëm mes Hakimi dhe Mbappe dhe ai është shumë i motivuar.

Tiki-taka? Ne nuk kemi nevojë të kemi dominim në zotërimin e topit dhe të përfundojmë duke dërguar dy goditje në portë. Ndoshta duhet t’i themi Infantinos të vendosë një rregull që edhe skuadrat që kanë më shumë se 60% të posedimit të topit në ndeshje, t’u jepet një pikë në fund.

Unë shoh njerëz që thonë se ky është maksimumi ynë, por unë dua të fitoj Kupën e Botës. Ju mund të më quani të çmendur, por unë dua ta fitoj këtë kompeticion dhe tifozët tanë patjetër do të na ndihmojnë për ta bërë këtë. Unë e dua vendin tim. Ne nuk jemi të lodhur fare siç thonë sepse duam të rishkruajmë historinë”, thotë trajneri i Marokut. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *