E bujshme/ Nuk ka më trajnerë italianë! Shqipëria do të mësojë sambën braziliane, Duka zbulon ndihmësin e Tites

Armand Duka ishte i ftuar në studion e emisionit “Show Katar 2022“ në “RTSH“, ku sigurisht që nuk mund t’i shpëtonte pyetjes për trajnerin e ri të Kombëtares. Shqipëria duket se ka hequr dorë nga italianët dhe është gati të mësojë sambën braziliane. Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet kreu i FSHF-së. Duka ka thënë se janë kryer bisedime me emra të njohur dhe tashmë po diskutohen aspektet ekonomike për të dalë më pas me zyrtarizimin përpara Vitit të Ri.

Në fund të fjalës së tij, presidenti i FSHF-së ka zbuluar një detaj mjaft të rëndësishëm, duke u shprehur se mund të firmosin me ndihmësin e Tites. Një detaj të cilin prezantuesja Hygerta Sako e thekson përsëri pas spoteve publicitare dhe sqaron se bëhet fjalë për Silvinjon. Ky i fundit ka qenë ndihmës trajner i Tites në Kombëtaren e Brazilit, si dhe ndihmës i Mançinit në stolin e Interit. Ndërsa në karrierën e tij si futbollist ka mbajtur veshur fanellën e Arsenalit, Barcelonës dhe Mançester Sitin.

“Ne jemi në një fazë për rivlerësimin për të ardhmen e ekipit kombëtar. Të shohim edhe Botërorin, të shohim se kush shkarkohet se mos marrim ndonjë nga këto që do shkarkohen. Padyshim që po. Po punon stafi teknik, ka marrë CV-të dhe po diskuton me shumë. Realisht jemi në fazën që do diskutojmë edhe aspektin ekonomik dhe besoj që para Vitit të Ri do të kemi një emër të ri. Di që janë disa emra që janë diskutuar. Janë të gjithë emra të mirë, të dëgjuar. Mund të marrim ndihmësin e Tites”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *