Qendërmbrojtësi Realf Zhivanaj është drejt “divorcit” me Tiranën. Edhe pse ka edhe gjashtë muaj të tjerë kontratë me bardheblutë, duket se largimi i mbrojtësit do të jetë i parakohshëm nga kryeqytetasit.
Burime për “Sport Ekspres” pranë futbollistit konfirmojnë se brenda pak ditëve pritet që të zhvillohet një takim mes mbrojtësit tropojan dhe drejtuesve më të lartë të klubit, për të mbyllur bashkëpunimin një-vjeçar.
Kujtojmë që qendërmbrojtësi u vesh bardheblu me fillimin e sezonit 2021-2022, teksa nënshkroi për dy vite. Ai, nga 12-javë kampionat deri më tani, ka luajtur vetëm tre ndeshje, duke u aktivizuar në total për 120-minuta. Zhivanaj gjatë kësaj kohe ka shënuar edhe dy gola në Kupë me Tiranën në atë ndeshje ndaj Veleçikut dhe është ndëshkuar me një karton të kuq në “Klasiken” ndaj Vllaznisë, që e penalizoi më pas për të ruajtur edhe vendin e titullarit tek bardheblutë.
Nga sa mesohet, është vetë futbollisti ai qe do t’i japë fund aventurës në kryeqytet, teksa fjala e fundit tashmë i mbetet klubit. Megjithatë, gjasat janë që Tirana të mos bëhet pengesë, prandaj në ditët e ardhshme e vetmja gjë që mbetet është që palët të shtrëngojnë duart dhe ta mbyllin këtu bashkëpunimin e tyre.
Realf Zhivanaj është një prodhim i dalë nga Akademia e Tiranës, teksa për dy vite ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek ekipi U-19, duke qenë një lider në prapavijë, por tashmë duke qenë se tek bardheblutë minutat kane qenë të pakta për të, po kërkon një tjetër aventurë.
Ndërkohë, sa i takon të ardhmes, Zhivanaj mund të mbetet sërish në Abissnet Superiore, pasi disa skuadra kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim. /Sport Ekspres/