Kupa e Botës ka ngritur siparin mbrëmjen e sotme me ndeshjen hapëse mes Katarit dhe Ekuadorit. Për të sjellë një tablo më të qartë të atmosferës dhe situatën në Katar, Humret Kadrija ka folur për emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“. Ekonomisti shqiptar tregon se ka punuar me një kompani që ka ndërtuar stadiume, ndërsa shton se në këtë shtet gjenden rreth 2000 shqiptarë që merren kryesisht me ndërtim.
“Ky Botëror është krejt ndryshe nga të tjerët. Është i veçantë edhe për mirë, edhe për keq. Vendet europiane nuk e pëlqejnë aq sa duhet, por për Lindjen e Mesme është shumë mirë. Stili i jetesës është i mirë. Për ne shqiptarët nuk përshtatet shumë, por është i mirë. Futbolli është nga sportet që paguhet më shumë në Katar. Pasi fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës futbollit i është dhënë shumë prioritet. Katari para një viti fitoi Kupën e Azisë dhe pritej të ishte në formë.
Mendohet të jemi mbi 2000 shqiptarë në Katar. Merremi me ndërtim dhe infrastrukturë. Kam qenë edhe unë pjesë e një firme në ndërtimin e stadiumeve dhe të metrove. Mund të jetë ndër shtetet e vetme që nuk paguajnë taksa mbi të ardhurat. Gjinia femërore është shumë pak në stadiume. Veshja është e lirë. Mund të vishen si të duan. Për alkolin, nuk është i lejuar në çdo zonë. Disa fan zone e lejojnë, disa jo. Nëse dikush është i dehur, dërgohet në një zonë tjetër. Temperatura është perfekte. Sot ka qenë rreth 26-28 gradë”, ka thënë Hurmet Kadrija./Halit Delibashi-Sport Ekspres/