Skuka i befasoi të gjithë në ato pak minuta aktivizimi kundër Italisë. Sulmuesi tentoi edhe golin me rroveshatë, duke e bërë Rejën që të pranonte gabimin për minutat e pakëta në fundin e ndeshjes: “Nuk e prisja”.
Sport Ekspres ka marrë prononcim nga ish-trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, që ia njeh fare mirë cilësitë këtij lojtari. A është gati Skuka për Kombëtaren dhe cili do të ishte hapi më i mirë pas Partizanit për të? Përgjigjet i jep Mehmeti!
“Unë e kam evidentuar Skukën, jo vetëm te Dinamo, por edhe në Kategorinë e Parë. Ka cilësi të mira, i besova te Partizani, bëri mirë atje dhe është kthyer në liderin e ekipit. Ka ende punë për të bërë, për t’u përmirësuar.
Meritonte pak më tepër minuta kundër Italisë. Do kohën e duhur për t’u menaxhuar në aspektin psiko-taktik. Skuka mund të kthehet në pjesë e rëndësishme për Kombëtares, e meriton. Nuk e prisja që të krijonte aq shumë volum në ato pak minuta, por e prisja nëse do të aktivizohej më herët. Është futbollist që nuk parashikohet dot.
Tentativa me rroveshatë, a e ka bërë në stërvitje? Mos shkoni larg, i shënoi Tiranës në mënyrë të ngjashme. Nëse menaxhohet mirë nga klubi dhe vazhdon që të punojë, atëherë ka për të shkuar larg. Pika më e fortë e tij është fakti se nuk parashikohet, driblon lojtarët, është shumë i shpejt dhe e njeh portën mirë nga çdo kënd, ashtu siç shënoi në këndin zero ndaj Bylisit.
Duhet të përmirësohet në aspektin taktik dhe fizik. Për mendimin tim do të ishte mirë që pas Partizanit të kalonte në Kroaci ose Hungari. Nëse do të bëjë shumë mirë dhe aty, atëherë mund të kapi shkallë më të larta”, tha Mehmeti. /Sport Ekspres/