Mbrëmjen e nesërme, në orën 20:45, do të nisë takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Italisë. Një mundësi mjaft e mirë kjo për lojtarët shqiptarë për të treguar aftësitë e tyre ndaj një emri të madh si Italia. Bëhet fjalë për kampionët në fuqi të Europës, që do të përgatiten për kualifikueset e Europianit të ardhshëm, të cilat nisin në muajin mars.
Xhanluka Di Marcio ka zbuluar formacionin e mundshëm të axurrëve për takimin e nesërm. Mançini ka ideuar 11-shen e tij, e cila do të rreshtohet në një 3-4-3. Mes shtyllave do të jetë Donaruma, ndërsa në mbrojtje përpara tij do të jetë treshja Bonuçi-Bastoni-Skalvini. Dy qendrat e mesfushës do të përbëhen nga Tonali dhe Verrati, ndërsa në krahë do të jenë Di Lorenco në të djathtë dhe Dimarko në të majtë.
Sa i përket repartit të avancuar, rolin e sulmuesit kryesor që do të shërbejë si një pikë referencë, do ta marrë Raspadori. Ky i fundit do të ndohmohet nga krahët përmes Zaniolos dhe Grifos, të cilët do të vendosen në fushë përkatësisht në të djathtë dhe në të majtë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/