Mbrëmjen e 16 nëntorit Shqipëria dhe Italia do të përballen me njëra-tjetrën në një miqësore. Ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania”, ku interesi për të ndjekur nga afër këtë takim do të jetë i madh.
Ndërkohë edhe gjyqtarët e kësaj ndeshjeje do të jenë shqiptarë. UEFA ka vendosur që arbitri kryesor që do të gjykojë kampionët e Europës të jetë Genc Nuza. Asistentë të tij do të jenë Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, të cilët përfaqësojnë FFK-në.
Ndërkaq, gjyqtar i katërt do të jetë Juxhin Xhaja. Genc Nuza nuk e ka fshehur lumturinë që do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Shqipër-Itali, teksa ka reaguar me anë të një postimi në “Facebook”, ku shprehet se është një ëndërr e bërë realitet për të./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Postimi i Genc Nuzës:
Të nderuar miq,
Jam tejet i lumtur që do të jem gjyqtar kryesor në ndeshjen miqësore, SHQIPËRI – ITALI e cila do të zhvillohet në njërin nga stadiumet më moderne të Evropës, Air Albania.
Ta përfaqësosh shtetin e Kosovës dhe FFK-në, në një ndeshje të këtij nivieli është një tjetër ëndërr e realizuar dhe sukses i madh jo vetëm i imi por i gjithë futbollit kosovar në përgjithësi. Së bashku me asistentët Fatlumin, Bujarin dhe kolegët e nderuar nga Shqipëria do të japim më të mirën në këtë ndeshje.
Na priftë e mbara.