Astrit Hafizi ka komentuar në “News24” miqësoret e fundit që ka zhvilluar Shqipëria. Sipas tij, lojtarët e Superiores nuk kanë vlerën e duhur për të qenë pjesë e Kombëtares. Për këtë arsye ai u shpreh se këto miqësore me Arabinë Saudite dhe Katarit nuk i kanë shërbyer askujt. Teksa u fol për Superioren, u prek tema e Erzenit, mbi të cilën kishte një koment interesant.
“Shikoni, nuk mendoj se këto miqësore i shërbyen ndokujt. Ishin lojtarët e Superiores që janë marrë në këto takime. Po ta shikoni tani, te Superiorja ke ekipe që nuk shënojnë dot një gol në çdo javë. Ke ekipe që pësojnë gol rregullisht. Pastaj në këtë verë, të gjitha skuadrat tona nisën të eliminoheshin që nga turi i parë.
Pra nuk kemi vlerën e duhur që Kombëtarja të fillojë dhe të hedh sytë nga Superiorja. Duke përjashtuar vetëm Xhixhën e Tiranës që mund të shihet me vëmendje për Shqipërinë, pjesa tjetër nuk diskutohet, ka diferenca të mëdha. Nuk mund të ndërrosh dot Brojën dhe Uzunin me lojtarët e Superiores.
Pastaj në Superiore kemi edhe një rast si Erzeni. Vjen dhe të mund të gjithë elitën e Superiores. Një ekip që u formua rishtazi, 3 javë para nisjes së Superiores dhe ku po diskutohej nëse do të hynte apo jo në kampionat, po fiton ndaj atyre ekipeve që janë përgatitur jashtë Shqipërisë, që kanë luajtur në Europë. Pra të gjitha materialet mbi futbollin duhet të hidhen në kosh të plehrave duke parë këtë rast”, tha Hafizi. /Sport Ekspres/