Epokës së Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit po i vjen fundi dalëngadalë dhe dyshja e re e futbollit botëror janë Kylian Mbappe dhe Erling Haaland. Këtë vit, sa i përket numrit të golave, një njeri është krah për krah me ta, por kjo nuk mjaftoi që Kombëtarja e tij ta çonte në Katar. Ai nuk është në qendër të vëmendjes sa Haaland dhe Mbappe, as i afrohet, por është krah për krah për sa i përket golave. Bëhet fjalë për sulmuesin argjentinas German Cano (34 vjeç), i cili luan për Fluminense.
Edhe pse mesatarisht shënon një gol në javë, Cano nuk do të jetë në skuadrën e Lionel Scalonit te Argjentina për Kupën e Botës në Katar këtë vit. Në këto 11 muaj, Cano ka shënuar 43 gola për Fluminense, që është padyshim diçka që pak njerëz mund ta bëjnë.
Pas golit të fundit ndaj Goias, Cano barazoi numrin e golave në një sezon në Brazil që i takonte Gabriel Barbosa dhe Neymar. Sulmuesi me përvojë është golashënuesi më i mirë i kampionatit brazilian me 25 gola. Ai gjithashtu shënoi pesë gola në Copa Brasil, katër të tjerë në kampionatin Carioca, tre në Taca Guanabra, plus tre secili në Sudamericana dhe Libertadores.
Kur bëhet fjalë për vitin 2022, golashënuesi më i mirë është Kylian Mbappe. Ai shënoi 46 gola për PSG-në dhe Francën këtë vit dhe në Botërorin ku do të mbrojë titullin, ka mundësi ta rrisë më tej këtë numër. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/