Ku është problemi që Shqipëria nuk po merr rezultatet e pritshme? Të gjithë zgjedhin që ta kthejnë Rejën në “kokë turku”. Tifozët e Kombëtares kishin mendim tjetër, lojtarët kanë humbur zemrën.
Ndoshta duhet t’ia nisim nga këtu. Kombëtarja zhvilloi dy miqësore së fundmi me lojtarët e Superiores. Shqipëria ndodhet në vendin e 66 në FIFA me yjet e saj. Arabia Saudite ndodhej e 51 dhe Katari në vendin e 50.
Kombëtarja barazoi 1-1 me Arabinë dhe humbi 1-0 ndaj Katarit, me arbitrin që i dha një ndihmë psikologjike vendit që organizon Botërorin. Shumë pyetje lindin në kokë: “A mos ndoshta këto miqësore treguan sesa të drejtë kishin tifozët kur iu kthyen lojtarëve? Si është e mundur që ekipi i tretë i Shqipërisë të jetë më i mirë se Kombëtaret që ndodhen 10 vende para nesh, Kombëtares së parë, asaj të yjeve?”.
Pa ofenduar futbollistët e Superiores, themi e treta pasi deri tani kështu ka rezultuar në zgjedhje. Por në këto dy miqësore produkti ynë tregoi më shumë se dinjitet dhe personalitet. Ata tërhoqën vëmendje si për të thënë se Shqipëria do të ishte në këto pozita ku gjendej sot edhe me ta, në mos më mirë.
Për më tepër që këta lojtarë kishin vetëm 4 ditë stërvitje me njëri-tjetrin, jo 4 vite. Madje edhe nëse luan në kalçeto me një grup që njihet me njëri-tjetrin, ndërsa ti formohesh rishtazi, ndihen diferenca të mëdha. Këtë herë jo vetëm që nuk u ndien, por Shqipëria kishte fytyrë të bukur.
Nga ajo që Sport Ekspres ka mësuar, lojtarët e Superiores janë impresionuar nga Reja në këto dy takime. Mënyra e përgatitjes së ndeshjes dhe komunikimi i thjeshtë i italianit kanë lënë mbresë, i ka fituar lehtë zemrën futbollistëve. Ndonjëherë flitet edhe me heshtje, jo gjithçka duhet thënë dhe shkruar. /Sport Ekspres/