Një skandal i vërtetë ka ndodhur në ndeshjen e Kupës së Maqedonisë mes Shkupit dhe Shkëndijës. Këta të fundit shënuan në minutën e 9 dhe më pas nisi festimi pranë tifozëve të Shkupit. Kaq mjaftoi dhe tifozët do të hynin në fushë duke sjellë kaos dhe ndërprerjen e ndeshjes. Së fundmi Shkëndija ka reaguar me një deklaratë ku dënon gjithçka ndodhi.
“Futbolli në fakt është garë, por brenda punës për arritje të objektivave, si qëllim ka afrimin e njerëzve, argëtimin, kënaqësinë dhe relaksin e publikut që i ndjek ata që e bëjnë garën! Futbolli bashkon popuj të ndryshëm, e jo të kundërtën!
Konkretisht, potencojmë se qëndrimi i sponsorit të Shkëndijës është decid dhe i palëkundur në këtë drejtim: “NË ASNJË MËNYRË NUK FINANSOJMË DIÇKA QË PRODHON DHUNË!”
Pas gjithë asaj që ndodhi në Çair në ndeshjen e ndërperë të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë, ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës, ne si klub kësaj here NUK DALIM me komunikatë për të dënuar sulmin ndaj futbollistëve tanë në terren, gjuajtjet me flakadane e gjësende të forta nga tribuna, sharrjet dhe ofendimet apo edhe sulmet nga individë të caktuar drejt autobusit të ekipit tonë në largim nga qyteti i Shkupit.
KF Shkëndija si klub bën thirrje për të ndalur urgjentisht këtë urrejtje e fanatizëm të skajshëm ndërmjet dy tifozerive, që tashmë nuk dëmtojnë vetëm klubet tona, por tashmë edhe qytetarë të pafajshëm që mbase edhe nuk kanë asnjë lidhje me futbollin.
Nuk është roli i KF Shkëndijës të përcaktojë se kush e nisi, kush e vazhdoi, cili ka më shumë e kush më pak faj!
Shkëndija thotë shkurtë dhe qartë, STOP URREJTJES DHE SKENAVE TË PAHIJSHME në ndeshjet tona!
Nuk pretendojmë në asnjë moment bashkimin e dy tifozerive, apo eliminimin e rivalitetit e garës sportive në terren dhe asaj për krijimin e atmosferës sa më të mirë në tribunë! Përkundrazi, vlerësojmë se rivaliteti i bën mirë garës. Por, asesi të tejkalohen kufijtë e të së lejuarës! Dihen kushtet për zhvillimin e një ndeshje, është e qartë se çka kanë të drejtë tifozët dhe çka jo! Fundja, futbolli luhet për spektatorët. Por kur këta të fundit ndikojnë drejtpërdrejtë për ndërperjen e një ndeshjeje, atëherë është e qartë se është kaluar vija e kuqe e veprimit të tyre. Prandaj gjithnjë e më shumë po pengohet udhëtimi i tifozëve mysafirë. Nuk i lejon policia, nuk i pranon ekipi vendas e tashmë vijmë në situatë që edhe klubi i vet ta pësojë rëndë sjelljen e atyre që thonë se më së shumti e duan klubin. Kjo s’është dashuri! Sepse, nuk ekziston rivalitet që arsyeton tejkalimin e kufirit të rregullave për krijimin e kushteve për zhvillimin e një ndeshje futbolli.
Me këtë rast, KF Shkëndija bën thirrje publike te të gjitha palët e përfshira që të reflektojmë thellë e sinqerisht dhe që në këtë moment të ndalojmë këtë urrejtje që po na turpëron pa përjashtim të gjithëve para syve të të tjerëve!
Me shpresë se ngjarje si këto të djeshmet nuk do të përsëriten kurrë, ne si klub ofrojmë bashkëpunim maksimal me të gjithë pa përjashtim, për krjimin e një klime sportive dhe korrekte që në të ardhmen do të kontribuojë ta shijojmë sërish si festë futbollin, e tu gëzohemi në mënyrë dinjitoze sukseseve të arritura përbrenda kufijve të rregullave dhe respektit për gjithë përbërësit e garës”