Donte të fitonte penallti, por arbitri e nxjerr nga fusha e lojës me karton të kuq! Taulant Seferi është histori më vete në ndeshjen anormale

Ndeshja në Ukrainë mes Kryvbas dhe Vorskla Poltavas mund të quhet jo e zakontë. Që në minutën e 7 të takimit, vendasit do të humbisnin një penallti. Ndërkohë në minutën e 29 do të ndëshkoheshin me karton të kuq pas gabimit fatal në ndërhyrje të Ponedelnik.

Nuk kaluan as 10 minuta të plota, teksa Taulant Seferi mendoi që ekipet të barazoheshin edhe në numër lojtarësh, jo vetëm në rezultat. Sulmuesi ishte ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 18, teksa në të 38, tentoi të simulonte dhe të fitonte një penallti.

Arbitri pa gjithçka dhe i nxori kartonin e dytë të verdhë, për ta nxjerrë nga fusha e blertë para kohe. Kryvbas gjeti golin e avantazhit me penallti në minutën e 50, teksa Marlyson u ndëshkua me karton të kuq në të 54, duke e lënë Vorskla me dy lojtarë më pak pas daljes së Seferit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *