Romelu Lukaku u rikthye te Interi këtë verë pas një viti në huazim. Ai këtë sezon ka shumë probleme me dëmtimet, ndërsa tani ka vendosur të largohet nga Milano dhe të trajtohet në një qytet dhe shtet tjetër. Golashënuesi më i mirë në historinë e Belgjikës u shërua nga lëndimi i tij pak ditë më parë, luajti tetë minuta kundër Plzen dhe shënoi një gol, luajti kundër Sampdoria-s në Serie A, dhe më pas një tronditje, një tjetër dëmtim.
Interi konfirmoi dy ditë më parë se Lukaku ishte i dëmtuar sërish, ndërsa mbrëmë nuk ishte në ndeshjen e Champions League kundër Bayernit. Lajmet nga Italia tashmë thonë se Lukaku u largua nga Milano dhe shkoi në Belgjikë për kurim ku do të kujdeset nga mjekë të Kombëtares së këtij vendi. Mesa duket, prioriteti i parë i Lukakut është të jetë i shëndetshëm dhe i gatshëm për Botërorin që nis në Katar për saktësisht 18 ditë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/