Partizani ka arritur që të fitojë thellë ndaj Teutës së Shkëmbit në shifrat 1-4. Të kuqtë kaluan të parët në avantazh nëpërmjet Hotit, pas 2 minutash loje, teksa gjithçka u barazua me anë të Grudës. Më pas ishte Da Silva, sërish Hoti dhe Skuka që vendosën historinë e takimit. Kështu kryeqytetasit dalin nga një moment jo i mirë, ndërsa “djemtë e detit” fundosen sërish.
Nga krahu tjetër Vllaznia i ka marrë një fitore Bylisit, nga ato që janë jo pak të hidhura. Shkodranët ishin cinik duke fituar me shifrat 2-1 falë golave të Markut dhe Jonuzit. Damcevski do të shkurtonte diferencat në të 82, por kjo nuk mjaftoi që ekipi i tij të dilte me pikë. Perla e Jonuzit do t’i godiste ballshiotët në momentin e tyre më të mirë ku kërkohej barazimi, teksa e ngritën jo pak nivelin në pjesën e dytë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për Oversport:
Kolela: “Zakonisht jam i kënaqur kur fitoj diçka, nuk kemi fituar ende asgjë. Nuk kam qenë kurrë i shqetësuar për ekipin pasi e godasim shpesh portën, herët a vonë do të vinin edhe golat. E mbyllim fazën e parë në vendin e parë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Kartonët e verdhë? Kur merren me protestë, sigurisht që të shqetëson, por më pëlqen kur merren për faulla të bërë. Të fitosh 1-4 në transfertë është gjithmonë një ndjesi e mirë, tregues i forcës tonë. Ne punojmë që ta shohim Partizanin gjithmonë në tilla nivele. Ndonjëherë na shkon mirë dhe ndonjëherë na shkon keq. Kam debutuar këtu në Durrës dhe kam fituar në ndeshjen e parë me Partizanin, duhet të vijmë më shpesh në Durrës”.