E FUNDIT/ “Erzeni është për t’u respektuar, kemi vuajtur”! Trajneri i Kukësit flet pas fitores: E kanë thënë burrat e mençur…

Me tensione dhe e zjarrtë pritej ndeshja mes Erzenit dhe Kukësit, ashtu do të rezultonte. Situata ishte ndezur që në konferencat e shtypit, teksa më parë Safet Gjici nuk mund të kuptonte sesi ekipi i tij ishte në vendet e fundit dhe Erzeni po kryesonte në Superiore. “Një lojtar i yni paguhet sa gjithë Shijaku”. Ndërkohë nga ana tjetër, Krasniqi u shpreh se kërkonte me patjetër një fitore ndaj Kukësit në Superiore.

Por ky takim u mbyll me suksesin e Kukësit në shifrat 0-2. Dobi ka arritur që ta kthejë Bashën si në kohët e arta të sezonit të kaluar. Ishte pikërisht ky lojtar që në minutën e 17 arriti që të realizonte falë një goditje brilante në zonë. Gjithmonë duke i shkaktuar vështirësi kundërshtarëve nëpërmjet driblimeve dhe lëvizjeve të tij.

Tensionet dhe përplasjet e lojtarëve nuk munguan në këtë ndeshje që u përjetua si një finale. Kjo u pa qartë edhe në golin e Barbosës me kokë në minutën e 58, ku i gjithë stafi i Kukësit hyri në fushë për të festuar. Pas këtij triumfi, verilindorët ngjiten në vendin e katërt, me një pikë më pak se Erzeni. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Dobi: “Erzeni është për t’u respektuar, ne kemi vuajtur për pak. Arritëm që ta mbanim këtë vuajtje dhe goli i dytë na dha qetësi. Duhet të jemi më të rafinuar para portës kundërshtare. Por duhet t’i jap respektin Erzenit. Kartonët i morëm shumë shpejt. Duhet të jemi agresiv te topi, jo te kundërshtari, që të bëjmë faull të panevojshëm. Nuk është ende ekipi i Dobit, është ekip i Kukësit. Unë po mundohem që ta vajis mirë ekipin dhe pastaj të jenë në punë të gjithë mekanizmat. E kanë thënë burrat e mençur që kur një ekip është fitues, atëherë nuk ke se çfarë të ndryshosh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *