Olsi Karagjozi vlerëson besimin e palëkundur të presidentit Refik Halili karshi Orges Shehit. Gazetari i “RTSH”-së ka zbuluar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“ se ka pasur edhe kundërshti brenda klubit për të ndryshuar trajnerin pas rezultateve të dobta në Europë, por vetë Halili ka qenë tërësisht në mbështetje të Shehit, që në atë periudhë kishte edhe një ofertë nga Shkëndija.
“Halili i ka besuar Shehit, pavarësisht dështimit në Europë. Ka pasur shumë kundërshti edhe brenda klubit për ta ndryshuar si trajner. Madje përpara 3-4 javësh, në një kronikë që unë duhej të ndiqja në qendrën stërvitore të Tiranës, ka pasur një bisedë kokë më kokë. Më rastisi që unë i ndoqa nga larg dhe kanë qenë ato ditët që Shehi përflitej edhe për një transferim të mundshëm te Shkëndija. Por besimi që i ka dhënë klubi ka qenë shumë i rëndësishëm. Lajmi aty ishte që presidenti ishte i vendosur që të mos largohej, pavarësisht se Tirana në javët e para pati disa probleme”, ka treguar Olsi Karagjozi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/