Kastrioti ka marrë një barazim 0-0 kundër Partizanit mbrëmjen e sotme. Të kuqtë e patën të pamundur të shënonin në portën e krutanëve, pasi Edmir Sali ka bërë një punë të shkëlqyer mes shtyllave. Portieri i Kastriotit ka treguar për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” se punon ekstra edhe pas stërvitjes për të pasur një formë sa më të mirë. Sali ka folur edhe për objektivat në karrierën e tij, të cilat janë të luajturit në një kampionat të huaj dhe që një ditë të jetë në portë me fanellën e Kombëtares shqiptare.
“Jam ndjerë mirë. Shumë komplimente nga të gjithë. I falenderoj shumë. Ishte shumë emocionuese. Stërvitem me ekipin. Stërvitem ekstra në palestër dhe qendroj më gjatë me djemtë, bëjmë gjuajtje. Objektivi i karrierës sime është të marr maksimumin në çdo ekip. Dhe kjo do më ndihmojë të shkoj në një ekip jashtë Shqipërisë. Ky është objektivi. Nuk kam pasur oferta, sepse ky është sezoni im i dytë që luaj. A besoj se një ditë do të luaj me Kombëtaren? Ideja më josh. Është objektivi më i madh i çdo futbollisti shqiptar që të luajë në Kombëtare. E besoj dhe për atë po punoj“, është shprehur Edmir Sali./Halit Delibashi-Sport Ekspres/