Ilir Daja dhe Besnik Hasi janë dy emrat më popullor te tifozët shqiptarë kur bëhet fjalë për një trajner të ri që mund të marrë drejtimin e Kombëtares. Ky i fundit është aktualisht “i pa punë” pas zhgënjimit të madh te Al Ahli, duke pasur jo pak përgjegjësi në rënien e kësaj skuadre nga elita e futbollit pas shumë vitesh.
Kulmi i karrierës si trajner për Besnik Hasin ka qenë te Anderlehti, atje ku ka arritur të grumbullojë 1.85 pikë për ndeshje mesatarisht, me 119 ndeshje të zhvilluara me rolin e trajnerit. Ndërkohë edhe te Olimpiakosi rezultatet nuk kanë qenë të këqija, por me vetëm 11 ndeshje të zhvilluara si trajner, Hasi ka arritur kuotën më të lartë të 1.9 pikëve të marra për ndeshje.
Pjesa tjetër flet për statistika jo shumë të mira. Pikën më të dobët trajneri shqiptar e ka te Legia, teksa ka marrë 1.17 pikë për ndeshje me 18 të tilla të zhvilluara, pa harruar aventurën e fundit te Ah Ahli ku e drejtoi këtë skuadër për 25 ndeshjeve dhe mori mesatarisht 1.12 pikë për ndeshje. Gjithashtu për Hasin ka pasur edhe një aventurë të gjatë te Al Raed, duke e drejtuar për 96 ndeshje këtë skuadër dhe nuk ka grumbulluar më tepër se 1.34 pikë për ndeshje. /Sport Ekspres/