Kristjan Asllani përjetoi momentin më të keq që pas kalimit te Interi. Mesfushori shqiptar kërkoi rolin e protagonizmit në minutat e fundit, por goditja e tij dhe zgjedhja për të mos pasuar te Mkhitarian, rezultoi fatale. Zikaltërit nuk arritën dot të fitonin me Barcelonën dhe kualifikimi për më tej shtyhet ndaj Plzen. Nëse Interi e fiton atë takim në shtëpi, që në letër është kaq i thjeshtë, atëherë do të siguronte matematikisht kalimin më tej në Champions League.
“Corriere dello Sport” shkruan se Asllanin e kanë marrë në mbrojtje te Interi dhe pritet që ta nisi titullar me Salernitanën, për t’i rritur besimin. “Asllanin nuk e prek njeri. Ishte i përlotur pas vërshëllimës së fundit. Inzagi pritet që ta gradojë si titullar me Salernitanën. Jo vetëm për ritjen e besimit, por është lojtar i ri dhe duhet hequr barra e gabimit të bërë me Barcelonën. Kjo nuk duhet t’i ndikojë në procesin e rritjes. Tashmë mjafton të fitosh me Plzen dhe askush nuk do ta kujtojë atë top që nuk i është dhënë Mkhitaryan”, shkruan media italiane. /Sport Ekspres/