Armando Sadiku ka gjetur formën e tij më të mirë në radhët e Kartagjenës. Sulmuesi shqiptar ka festuar 4 herë golin deri në këtë fazë të kampionatit. Shifrat flasin në favor të tij. Ecuria pozitive e lojtarit 31-vjeçar ka tërhequr edhe vëmendjen e “AS”-it. Prestigjozja spanjolle ka analizuar sezonin e ri të Sadikut në një artikull të publikuar së fundmi.
“Armando Sadiku, rrugës për shifrat e tij më të mira”, është titulli i medias në fjalë. Më tej “AS” krahason statistikat e këtij sezoni të futbollistit të Kombëtares shqiptare me ato të sezonit kur luante për Malagan. Me këta të fundit Sadiku ka rekordin e tij në Spanjë, teksa ka shënuar gjithsej 13 gola.
Por ky rekord mund të thyhet këtë edicion futbollistik, nëse ritmi vijon të mbetet i tillë për 31-vjeçarin. Sadiku ka shënuar deri më tani 4 gola për Kartagjenën, ndërsa për të njëjtën periudhë te Malaga numëronte vetëm 1 gol të shënuar. E parë në këtë këndvështrim, shanset për të kaluar shifrën e 13 golave në fund të sezonit janë të larta.
Gjithashtu “AS” vë në dukje faktin se sulmuesi shqiptar erdhi me vetëdije të plotë se vendi i titullarit do i takonte Ortunjos, por dëmtimi i tij ka bërë që të jetë emri i Sadikut në formacion. Një rast që e ka mbërthyer me të dyja duart dhe po e shpërblen me golat e shënuar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/