Sulejman Maliqati është ndarë nga jeta ditën e sotme. Ish-futbollisti i njohur ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi tejet të pasur. Maliqat njihej për aftësitë e tij mes shtyllave, ndërsa në të shkuarën ka mbajtur veshur fanellat e Besës së Kavajës, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur edhe Armand Dukën. Kreu i FSHF-së ka reaguar me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook“, ku i shpreh ngushëllimet familjes dhe kujton figurën e Sulejman Maliqatit.
“Futbolli shqiptar humbi sot një nga legjendat më të mëdha të historisë së tij. I madhi Sulejman Maliqati është ndarë sot nga jeta në moshën 94-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur e të çmuar për të gjithë futbolldashësit. Ish-portieri i famshëm i Kombëtares në vitet 1950-1964, Maliqati ishte një ikonë e padiskutueshme dhe një shembull frymëzimi për gjenerata të tërë sportistësh.
Përveçse i dekoruar me titujt më të lartë shtetëror dhe me shumë trofe të fituar në fushë, Maliqati ka qenë edhe njeri i shkëlqyer, një mik i mirë dhe një personalitet i rrallë e me shumë vlera në jetën shoqërore me kontribute të mëdha veçanërisht në botën e futbollit. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e miqve të tij. Emri i tij ka zënë vend tashmë në panteonin e më të mëdhenjve të historisë së futbollit shqiptar. U prehsh në paqe Sul Maliqati!”, ka shkruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/