“Jam më afër me Tiranën, më mungojnë golat në derbi“/ Batha flet në prag të derbit: Kombëtarja? Nuk dorëzohem kurrë

Të dielën luhet derbi i kryeqytetit dhe kush më mirë se një lojtar që i ka provuar të dyja fanellat mund të flasë për të. Idi Batha ka dhënë një intervistë për “Sport Magazinë”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“, ku tregon eksperiencën e tij në Rumani, si dhe ndan me sportdashësit mendimet e tij rreth derbit. Mesfushori i UTA Aradit rrëfen se lidhjet e tij shoqërore janë më shumta me lojtarët e Tiranës, ndërsa në kampin e kuq ruan raporte vetëm me Alban Hoxhën. Për surprizat në këto javë të para të “Abissnet Superiore”-s shprehet se nuk e çudisin aspak, ndërsa në lidhje me Kombëtaren thekson se nuk dorëzohet kurrë, pavarësisht se mosha sa vjen e rritet.

“Kam emocione me të dyja. I vlerësoj dhe më mungon koha që kam luajtur me të dy ekipet. Kam kaluar mirë te të dyja. Por te Partizani nuk kam shumë shokë që kam marrëdhënie jashtë fushe. Vetëm Alban Hoxha dhe ai me sa kam parë nuk është aktivizuar shumë. Ndërsa te Tirana kam më shumë lidhje shoqërore. Kam disa miq me të cilët komunikoj shpesh. Jam pak më afër me Tiranën. Nuk i kam shqetësuar, sepse e di që janë të përqendruar. Vetëm Ilion Likën, me atë flas më shpesh se të gjithë.

Këshilla për të rinjtë në derbi? Në derbi nuk mund të këshillosh dikë. Thjesht duhet të shijosh momentin. Të luash lirshëm dhe të bësh atë që ke qejf, pasionin tënd. Të mos ndikohesh nga faktorët e jashtëm apo nga presioni që vjen në media. Thjesht duhet të bësh lojën tënde dhe ka mbaruar çdo gjë.

Personalisht, nuk më çudit asgjë. Edhe në kampionatin ku unë luaj, por edhe me çfarë kemi parë në televizione, nuk ka më çudira në futboll. Nuk ka më ekipe të vogla dhe të mëdha, diferencat janë shumë të vogla. Nuk më habit as Erzeni, as Egnatia dhe asnjë ekip tjetër. Po më pëlqen që kampionati, megjithëse i ka rënë pak cilësia, të paktën të ketë pak konkurrencë. Të lodhet pak ai që do të fitojë kampionatin.

Kombëtarja? Mosha po ikën dhe ëndrrat fillojnë edhe zbehen. Unë jam tip që nuk dorëzohem. Unë them: Kurrë mos thuaj kurrë. Gjithmonë kam qenë i gatshëm për të sakrifikuar kudo që të jem”, ka deklaruar Idi Batha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *