E pësuam golin për shkakun e tij, Elseid Hysaj e pranon gabimin: Do të bëj një analizë me veten time për këto gabime që bëj

Mbrëmja e sotme është mbyllur me zhgënjim në Tel Aviv. Izraeli na fundos në fund të grupit me fitoren 2-1. Ndeshja nis me një rast të pastër nga Armando Broja, i cili gabon një për një me portierin. Izraeli pati rastet e veta në pjesën e parë, ndërsa në minutën e fundit ishte Broja i cili sërish dështon ballë për ballë portierit.

Pjesa e dytë nis me festën izraelite. Vetëm 40 sekonda nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës dhe Vajsman shkund rrjetën. Kuqezinjve u mungon kthjelltësia pas disavantazhit, prandaj Reja ndërhyn me zëvendësimet. Uzuni hyn nga stoli dhe për një moment merr rolin e heroit. Sulmuesi beratas konfirmon formën e jashtëzakonshme që po kalon, teksa në minutën e 86 realizon një gol për kornizë me topin që gjendej ende në ajër.

Por festa i lë shpejt vendin trishtimit. Veseli flak në kosh magjinë e Uzunit, teksa bën një gafë amatoreske në zonë. Mbrojtësi i Beneventos nuk koordinohet dot me topin dhe ngatërrohet me këmbët e tij. Topi mbetet në zonë dhe Izraeli kalon sërish në avantazh. Festa i takon e gjitha izraelitëve, të cilët siguronë vendin e parë në grup dhe sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës A në Ligën e Kombeve. Më poshtë gjeni intervistat për “Supersport”:

Hysaj: “Nga gabimet individuale kemi pësuar, si unë dhe të tjerë. Kemi bërë gjithmonë nga këto gabime individuale që na penalizojnë. E filluam mirë me katër mbrojtës, por pasi po na vendosnin në vështirësi, u kthyem me pesë në mbrojtje. U treguam se dimë të luajmë dhe mund ta fitonim ndeshjen. Nuk ndihem mirë. Do të bëj një analizë me veten time për këto gabime që bëra dhe të jem gati për ndeshjen tjetër”.

Uzuni: “Nuk ndihem mirë. Kam luajtur gjithmonë me injeksione në këto ndeshjet e fundit te Granada. Kam luajtur me gjilpëra këto minuta edhe te Shqipëria. Mos të gabojmë gjithmonë kështu, gjithmonë e pësojmë në fund. Është një nga golat e mi më të bukur të karrierës”.

Gjasula: “Izraeli po na dominonte dhe prandaj Reja na dërgoi sërish në skemën me 3 në mbrojtje. Na vendosi kështu që të luanim si më para. Na mungoi dhuna para portës, për të gjetur golin. Duhet të luftojmë gjithmonë për njëri-tjetrin, kjo na mungon. Fati nuk të vjen po nuk e meritove”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *