“Derbi me Tiranën nuk luhet, fitohet”! Bitri tregon prapaskenat e golit: E kishim punuar në stërvitje, Kukësi nuk na vendosi në vështirësi ndonjëherë

Një ndeshje me tension të lartë ishte ajo e sotmja mes Kukësit dhe Partizanit. Gjithçka nisi në minutën e 14 të takimit ku Tedi Cara lëshoi një predhë nga goditja e dënimit për të gjetur rrjetën. Lojtari i Partizanit shkoi për të festuar dhe një shishe mbërriti në syrin e tij, për të lënë menjëherë fushën.

Kështu do të mbyllej edhe pjesa e parë ku kishte më tepër tension dhe shishe të hedhura, sesa futboll. Pjesa e dytë nisi me një marsh më shumë për Kukësin. Daci arriti të linte mbrapa Bitrin në të 48 dhe shënoi menjëherë pas ardhjes nga stoli, duke barazuar gjithçka.

Verilindorët “morën zemër” dhe kërkuan të sulmonin kundërshtarin, pa pasur një tjetër rast të mirë për të përmbysur. Nga krahu tjetër, Eneo Bitri realizoi me kokë pas një goditje këndi në të 75. Kështu Partizani merr vendin e parë me 12 pikë, ndërsa Enkeleid Dobi debuton me humbje te Kukësi që nuk arrin ende të marrë fitoren e parë në kampionat. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Bitri: “Të them të drejtën, Kukësi nuk na vendosi ndonjëherë në vështirësi. Goli i vetëm që pësuam ishte për shkak të një keqkuptimi me arbitrin. Këto gjëra janë prezente në futboll. Sigurisht që kishim edhe pak fat sot. Derbi? Nuk kam fjalë për ta përshkruar, derbi nuk luhet, por fitohet. Ne do ia lëmë fushës. Goli im sot? E kishim përgatitur gjatë gjithë javës në stërvitje dhe na doli”.

Enkeleid Dobi: “Normale që na vjen keq që nuk dolëm me pikë. Ishte ndeshje e barabartë. Partizani ishte më mirë në pjesën e parë, por ne u përgjigjëm në të dytën. Nuk dua që të nxjerr justifikime se kam 5 ditë apo 1 javë këtu, duhet vetëm zgjidhje. Fati na ikur pak nga duart, ka ikur diku tjetër. Kur një makinë ka frenat e dorës së ngritur, nuk ecën si duhet. Kjo ndodh me ne, jemi keq në anën psikologjike. Tani jemi në malore. Niveli i futbollit shqiptar po ngrihet. Nuk është si në kohën tonë që luteshim të iknim jashtë, tani janë klubet që bëjnë ofertë për lojtarët e Superiores. Mesa duket na është futur një virus dhe duhet të gjejmë kurën”.

Kolela: “Rasti i Carës është shumë i shëmtuar. Në italisht ne kemi shumë epitete që mund t’i vendos, por më mirë nuk po e them. Ishte ndeshje e fortë. Përgëzime edhe për lojtarët tanë që u kundëpërgjigjën. Ishte një ndeshje që nuk luhet me një thi.kë të vogël në dorë, kërkonte një shpatë të madhe. Më pëlqeu në tërësi qasja e skuadrës. Kemi shkuar në një tjetër nivel. Arbitri? Nuk i vendos unë notat për gjyqtarët”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *