Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotme të vlefshme për javën e tretë të Kategorisë së Parë. Dinamo nuk ka zhgënjyer kundër Burrelit, ndaj të cilit ka fituar me breshëri golash. Blutë e kryeqytetit kanë marrë tre pikët pas fitores 5-0. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 28 me anë të golit të Ymerit, ndërsa Denison dyfishoi shifrat në minutat shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë ishte përsëri Denisoni që ndëshkoi Burrelin, duke shënuar në minutën e 51-të. Dy golat e tjerë mbajë firmën e Markut, i cili tund rrjetën në minutën e 65 dhe të 80.
Ndërkohë, në krahun tjetër Skënderbeu ka hedhur një hap fals në kampionat. Korçarët kanë humbur minimalisht 1-0 në transfertën me Orikun. Juglindorët mbajnë momentalisht vendin e 11 në renditje me 2 pikë të grumbulluara, ndërsa Dinamo e Nevil Dedes udhëheq tabelën e klasifikimit me 7 pikë të grumbulluara./Halit Delibashi-Sport Ekspres/