Kylian Mbappe vendosi të vazhdojë kontratën me PSG-në këtë verë, por vetëm pak muaj më vonë filluan sërish spekulimet për largimin e tij. Në fillim të vitit, Mbappe nuk pranoi të nënshkruajë kontratë të re me parisienët dhe shumë ishin të sigurt se ai do të shkonte te Real Madrid, me të cilin supozohej se kishte gjithçka të mbyllur, por ndryshoi mendje në momentin e fundit.
Mbappe përfundoi duke e zgjatur kontratën e tij me PSG-në edhe për tre vjet të tjerë. Megjithatë, edhe pse së fundmi ka nënshkruar kontratë të re, sërish kanë nisur spekulimet se Mbappe do të largohet nga PSG dhe do të nënshkruajë patjetër për Real Madridin.
Mediat në Spanjë shkruajnë se Mbappe ka një klauzolë në kontratën e tij me klubin francez, sipas së cilës mund të largohet falas nga PSG në verën e vitit 2024 dhe të vazhdojë karrierën në një tjetër klub.
Natyrisht, nuk u desh shumë kohë që të rifillojnë spekulimet se Mbappe patjetër do të vijë një ditë në Real Madrid dhe kjo ishte tema e konferencës së sotme për shtyp të Carlo Ancelotit. Ancelotti foli për mediat përpara ndeshjes së nesërme të Ligës së Kampionëve kundër Leipzig, por u befasua kur një nga gazetarët pyeti nëse historia rreth mbërritjes së Mbappe në Santiago Bernabeu ishte ringjallur.
Trajneri italian fillimisht qeshi me këtë pyetje, e më pas me reagimin e tij tregoi qartë se sa i lodhur është nga gjithë ato spekulime për Mbappen që po vazhdojnë prej gati një viti. “Uh, më duhet të ul duart përpara kësaj pyetjeje. Ne mendojmë vetëm për lojtarët e rinj që kemi, të cilët janë Vinicius dhe Rodrygo. Dhe Benzema do të luajë për një kohë të gjatë në këtë nivel. Kështu që unë nuk mendoj për ndonjë lojtarë të tjerë”, tha trajneri i Real Madridit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/
? SEÑAL TV | ? ¿Vuelve el ‘culebrón’ Mbappé? Ante las últimas informaciones de L’Equipe… ? Ancelotti: “Bajo los brazos ante esta pregunta”
? Ven a verlo en directo: https://t.co/47HJG4o7sm pic.twitter.com/fCxRVJoBjH
— MARCA (@marca) September 13, 2022