“Shpresoj ta kemi fatin ndeshjet e ardhshme“, Shkëmbi flet pas debutimit me Teutën: Anësori me ngatërronte me lojtarët e Kukësit

Ka përfunduar në barazim 0-0 ndeshja mes Teutës dhe Kukësit. Bledi Shkëmbi nuk mundi të debutonte me fitore në krye të pankinës durrsake, ndërsa në krahun tjetër Kukësi i Skënder Gegës merr pikën e dytë në kampionat. Pas përfundimit të sfidës, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Ti Bo Gol“ në “Oversport“.

Shkëmbi (Teuta): “Ndoshta mungoi vetëm goli. Një falenderim për djemtë, sepse bënë maksimumin. U munduan pafund, vrapuan pafund, provuan pafund. Ajo që më kënaqi është që me lojën e zhvilluar ndryshojmë anën psikologjikë. Na ndihmoi kartoni i kuq i Kukësit? Patjetër që po. Të luash në futboll kundër një lojtari më pak, patjetër që të ndihmon. Por nuk u hodhëm në aventurë. Rastet na u paraqitën, por për fat të keq nuk arritëm të shënojmë. Shpresoj që fatin ta kemi në ndeshjet e ardhshme. Kur skuadra vjen nga disa rezultate jo të mira, patjetër që është pak më e kujdesshme. Jo nga trajneri, por edhe vetë lojtarët. Nëse do të kishim shënuar një gol, ndoshta do të flisnim ndryshe. Ndryshimi i veshjes? Më pëlqen të rri me këmishë, por më detyroi arbitri ta ndryshoja. Më ngatërronte anësori me fanellat e bardha të Kukësit“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *