Guindo dhe Seferi ishte dy sulmuesit “e frikshëm” të Superiores në sezonin e shkuar me golat e shënuara dhe rrezikun që paraqesnin në portat kundërshtare. Por cilët do të jenë lojtarët që do të zënë vendin e tyre, pas largimit nga Superiorja?
Tre javët e para kanë profilizuar dy kandidatët e mundshëm, i pritshmi Xhuljano Skuka dhe Kaina. Sulmuesi i Partizanit nuk e ka arritur ende kulmin me formën e vjetshme, por ka treguar nuhatje me portën. Tre gola në tre ndeshje janë statistikë mëse e mirë për këtë lojtar që po “e mëson keq” Partizanin duke i zgjidhur ndeshjen i vetëm.
Nga krahu tjetër, te Kaina mjafton vetëm një ndeshje për të kuptuar potencialin. Ky lojtar arriti që të thyejë krejtësisht i vetëm kampionët e Superiores, Tiranën, duke i sjellë triumfin Vllaznisë në kryeqytet pas shumë kohësh.
Teksa Tirana e kishte kthyer ndeshjen me një portë, Kaina arriti me zotësi të fitonte 11-metërsh dhe të ndëshkonte me karton të kuq Zhivanaj. Aty ndeshja mori kthesën e madhe dhe të papritur, duke e kaluar Vllazninë në superiore. Sikur të mos mjaftonte kjo, Kaina dyfishoi shifrat për të sjellë qetësinë dhe tre pikët. E parë në këtë këndvështrim, sulmuesi shfaqi të njëjtën potencial për të zgjidhur ndeshje i vetëm, nga ato të mëdhatë dhe me shumë peshë. /Sport Ekspres/