Vetëm tre javë kampionati në Superiore dhe Kukësi është në kërkim të fitores së parë. Te verilindorët nuk kanë shumë vend për durim, Safet Gjici i ka dhënë një “shuplakë” të fortë të gjithëve për rezultatet e arritura deri tani. Presidenti i nderit të verilindorëve u shpreh se ka marrë lojtarët më cilësorë të mundshëm dhe fitoret duhet të vijnë. Ambientimi? “Nuk është detyra im t’i lidh, trajneri duhet t’i lidhi”, u shpreh Gjici.
Presidenti i klubit kërkon që shpenzimet e tij të korren menjëherë në sukses, por sigurisht që futbolli nuk është një matematikë kaq e thjeshtë: “1 plus 1 baraz me 2”. Tek afrimet cilësore, me siguri që Gjici i referohet afrimeve si Tiago Ferreira, 29-vjeç që ka dalë nga moshat e Portos apo Ndukëu që ka dalë nga moshat e Leicester, 23-vjeç.
Futbolli nuk luhet me “ish-a”, kjo është e qartë. Ai kërkon formë aktuale dhe jo historinë e dikurshme se nga ke qenë dhe çfarë ke bërë në të kaluarën. Është thuajse e njëjta gjë si Kukësi të kishte nënshkruar me Hachim Mastour, talentin e famshëm që doli nga moshat e Milanit.
Pra në kërkesë llogarie, mund të thuhej fare mirë që është marrë Mastour që u krijua aq shumë pritshmëri nga Milani dikur. Por aktualisht ky 24-vjeçar pas disa hapave në huazimin mes Greqisë dhe ligave më të ulëta në Itali, përfundoi në Ligën e Dytë të Marokut, te Rca Zemamra. Për këtë arsye edhe lojtarët e sipërpërmendur kanë pasur luhatje të këtij niveli përderisa nga moshat e Portos apo të Leicester, zgjedh që të përfundosh në Shqipëri. /Sport Ekspres/