Partizani ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat. “Demat e kuq“ kanë mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 Laçin. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 44-t, kur Skuka ekzekuton me saktësi një penallti të fituar nga po vetë ai. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport“.
Vukiçeviç (Laçi): “Shumë gjëra nuk më pëlqyen. Dua të uroj Partizanin për këtë fitore. Na mungoi gjithçka në këtë ndeshje, agresiviteti, kontrolli i topit dhe shumë të tjera. Disa lojtarë nuk ishin në nivelin e tyre prandaj e humbëm ndeshjen. Ne i humbëm të gjitha duelet me sulmuesit e Partizanit, në mesfushë kishim shumë probleme. Humbën topat e dytë dhe më pas pësuam me një 11-metërsh. Asgjë nuk shkoi mirë.
Nuk mendoj se skuadra varet nga Mazrekaj. Futbolli është lojë kolektive prandaj nuk jemi të varur prej tij. Nga Mazrekaj prisja shumë më shumë, por kjo ishte performanca e tij. Nuk varet vetëm nga mesfusha, por edhe pjesa tjetër. E dinim se Partizani do të luante me katër mesfushorë përpara, por ne kemi mënyrën tonë të lojës. Ne kishim 5 lojtarë përpara, duke marrë parasysh Babatunden, Mazrekajn dhe Spahiun, si dhe dy lojtarë përpara mbrojtjes.
Çdo gjë që bëmë sot ishte problematike. E vetmja gjë pozitive e kësaj ndeshje është fakti që humbëm me penallti dhe jo me një gol me aksion. Ne reaguam menjëherë pas golit të pësuar, por ishte shumë pak për të ndryshuar fatin e këtij takimi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/