Përallore, mbreslënëse, magjike! Nëse ka një kampion të vetëm kjo mbrëmje e sotme, është Ilir Daja. Ndeshja e Florian Markut e sfumoi disi arritjen e Ballkanit ndaj Shkupit, por realisht dy sukseset e arritura janë kaq shumë larg njëra-tjetrës. Ajo e boksierit shqiptar ishte mëse e pritshme ndaj kundërshtarit të 250 në botë dhe për më tepër që titulli i përkiste sportistëve që nuk janë të rankuar në listën botërore.
Shumë më ndryshe nga situata e Ballkanit. Besojeni ose jo, por tani ekipi i Suharekës do të ulet në të njëjtën tavolinë në Europë me Ëest Ham të Premier League. Kjo nuk është pak sigurisht, përkundrazi, një çmenduri e vërtetë. Për herë të parë Ballkani do të shpallej kampion në Kosovë, për herë të parë Ballkani do të dilte në Europë, për herë të parë Ballkani do të kalonte një tur në Europë, për herë të parë Ballkani do të përfaqësonte Kosovën në Play Off të Europës dhe për herë të parë Ballkani, kthehet në të vetmin ekip të Kosovës që merr pjesë në grupe.
Sa shumë hera të para dhe Ilir Daja nuk ka mbushur ende një vit që pas zyrtarizimit si trajneri i Ballkanit! Por çfarë nuk shkoi në kryeqytetin shqiptar? Përse këto arritje nuk janë bërë me Partizanin dhe Tiranën? Nga bardheblutë, disa vite më parë, Daja do të jepte dorëheqjen pasi skuadra nuk arriti në Europë. “Do të largohem, ishte premtimi im i dhënë për Europën, tani që nuk e arritëm, do të iki”, do të shprehej asokohe Daja.
Presioni në kryeqytetin shqiptar është dukshëm i madh. Situata do të kulmonte me Partizanin, tërësisht paradoksale dhe e pakuptimtë. Në momentin kur klubi ishte me merkato të bllokuar dhe nuk e kishte synim titullin kampion, të kuqtë i shkuan fare pranë. E në kohën kur gjithçka u projektua për vendin e parë dhe me mundësinë e blerjes së lojtarëve, Ilir Daja do të largohej për shkak të rezultateve negative.
Lojtarët me më shumë eksperiencë do ta tradhtonin këtë trajner, gabimet e shpeshta të Belicës dhe Alban Hoxhës firmosën shkatërrimin e një ëndrre të ndërtuar në sytë e tifozëve. Ilir Daja është i njëjti, po ai i gjashtë muajëve më parë, po ai i një viti më parë, atëherë, kush ndryshoi? /Sport Ekspres/