Bylisi është rikthyer me fitore në “Abissnet Superiore”. Mallakastriotët kanë mposhtur me rezultatin 2-0 Kastriotin, duke marrë kështu tre pikët e para në këtë sezon të ri. Trajneri i Bylisit ka dhënë pas ndeshjes një intervistë për emisionin “TI BO GOL”, ku ka treguar përshtypjet e tij për lojën e zhvilluar. Bellai tregon se objektivi i këtij sezoni për ballshiotët është mbijetesa.
“Pjesën e parë nuk shënuam dot gol, por pjesën e dytë me dy gola individual të Bejit dhe Kacorrit na ndihmuan. Pas golit të dytë u mbyllëm pak mbrapa dhe kishim durim për të marrë rezultatin. Objektivi nuk mund të bazohet te kjo ndeshje. Janë 35 ndeshje dhe s’mund të flasim për objektiv. E rëndësishme është që fituam edhe pse do ketë shumë ulje-ngritje. Kushdo që është trajner ka merita. Edhe të profesor Beqirit, unë ia dhashë meritat që i takonin.
Ne futëm disa elementë të tjerë që ndihmuan shumë. Ne po kërkojmë disa gjëra të tjera bashkë me ndihmësin. Përgatitjen që kishte bërë profesor Beqiri unë i dhashë komplimentet e mia dhe meritat janë të të dyve. Vetëm kampionati i Kategorisë superiore ja vlen në Greqi, jo e dyta. Në Shqipëri po shoh që po investohet shumë në infrastrukturë. Këtu po luhen në bar dhe janë të shkëlqyera, jo si në kohët e mëparshme ku nuk luhej as futboll. Presidenti është me këmbë në tokë. Objektivi kryesor është mbijetesa sepse shumë ekipe po luftojnë për atë. Jemi një ekip me djem të rinj, është politikë e Bylisit dhe ne do të përpiqemi të aktivizojmë çunat e rinj që të fitojnë eksperiencë. Objektivi im dhe i presidentit është sigurisht mbijetesa”, ka thënë Arian Bellai./Halit Delibashi-Sport Ekspres/