Tirana e nisi me një barazim sezonin e ri të “Abissnet Superiore“-s. Kukësi i Skënder Gegës arriti të ndalte kampionët në fuqi të Shqipërisë. Eridon Daci shënoi që pa nisur mirë ndeshja, por në pjesën e dytë Xhixha ktheu sërish baraspeshën. Në 20 minutat e fundit Kukësit iu desh të luante me një lojtar më pak, teksa Daci u ndëshkua me karton të kuq. Pas përfundimit të takimit, Orges Shehi ka folur për emisionin “TI BO GOl”, ku ka dhënë përshtypjet e tij mbi këtë duel.
“Mendoj se meritonim pak më shumë, sepse luajtëm mirë dhe u shfaqëm më shpesh te porta kundërshtare. U shfaqëm me ide dhe pastër, por na penalizoi një gol i shpejtë, ku ishim në gjumin e drekës akoma. Një gol që nuk na falet.
Seferi? Taulanti dihet që është lojtari ynë kryesor dhe deri në 31 gusht nuk jemi të qetë nëse do rrijë apo do iki. Dua ta falenderoj, sepse është në një periudhë me vetëm 5 ditë stërvitje. Dihet shumë mirë si është futbolli modern dhe ne jemi klube që ku ta gjejmë të transferojmë lojtarë. Sa kam qenë unë, kanë ikur shumë lojtarë që janë kërkuar jashtë. Ne na prish shumë punë, sepse është lojtari ynë kryesor, por nuk duhet të këmbëngulim ne trajnerët, sepse shyqyr që erdhi kjo ditë që ata të transferohen jashtë.
Unë mendoj se Tirana sot u paraqit mirë. Në formacion ishin disa lojtarë të rinj, por kjo paraqitje na jep shpresë. Unë jam i kënaqur dhe shpresoj që të përmirësojmë disa gjëra, sidomos në manovrën sulmuese në bazë edhe të kontigjentit të kemi. Pesë lojtarë janë të rinj në formacion dhe duhet të përshtaten. Vuajmë pak në qendrën e mbrojtjes, sepse Hoxhallari na ka lënë një boshllëk dhe nuk luajmë dot nga pas. Duhet të shohim gjërat e mira dhe të përmirësohemi më shumë”, është shprehur Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/