Besa e Pejës është në prag të falimentimit. Klubi i njohur nga Kosova u rrëzua në Ligën e Dytë, por këtë sezon nuk do të garojë as në këtë nivel të futbollit. Problemet financiare e kanë dërguar klubin deri në këtë pikë dhe përgjegjës për një fakt të tillë bëhet ish-menaxheri i Pol Pogbasë.
Ylli Kullashi ka pasur 40% të drejtat e marketimit të mesfushorit të Juventusit në periudhën 2014-2016, kur më pas ia shiti Mino Raiolës. Kullashi erdhi në krye të Besës vitin e shkuar, por duket se projekti i tij dështoi, duke sjellë tashmë falimentimin. Në një prononcim për “Gazeta Ekspres”, një burim pranë klubit akuzon Kullashin se përdori Besën për qëllime të tij personale dhe nuk u interesua aspak për të ngritur në nivelet më të larta ekipin.
“Ylli Kullashi nuk doli siç e kishin pritur të gjithë në klub dhe ata jashtë tij. Duket se ky djalë ka ardhur në klub për interes të vetin, për të marrë lojtarë dhe për t’i dërguar ata jashtë vendit, në mënyrë që të përfitojë vetë. Të gjithë janë të dëshpëruar me të, sidomos me veprimet e tij të muajve të fundit, pasi është ‘avulluar’”, janë fjalët e thëna nga një person afër klubit të Besës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/