Çuditemi me veten si eliminohen ekipet shqiptare nga Europa, rivali i Kukësit në miqësore na jep të gjitha shpjegimet se ku jemi

Përse ekipet shqiptare nuk po e ngrenë ende stekën kur dalim në Europë? Përveç Skënderbeut që ka arritur në grupet e Europa League, të gjitha ekipet e tjera kanë qenë shumë të limituara në këtë arenë. Disa trajnerë ia vendosin fajin fatit, disa të tjerë episodeve dhe të tjerë mungesës së eksperiencës.

Vit i ndryshëm, historia mbetet e njëjta! Atëherë, ku qëndron faji? Mjafton që të shohim miqësoren e djeshme që Kukësi po zhvillon në Turqi kundër Al Ettifaq që renditet poshtë mesit të tabelës në Arabinë Saudite.

Në pamjen e parë, të gjithë do të dilnin në përfundimin se verilindorët duhet ta mundin këtë rival. Por nëse te Kukësi dhe ekipet e tjera shqiptare stafi teknik përbëhet nga 5 veta, Al Ettifaq, një ekip poshtë mesatares në Arabinë Saudite ka saktësisht 17 persona që punojnë në pjesën tekniko-taktike. Imagjinoni se çfarë ndodh me ekipet që luftojnë për titullin kampion.

Dy botë të ndryshme, dy botë paralele. Pra e parë në këtë kënvdështrim, është jetësore që shteti të ndihmojë futbolli me investime dhe të kthejë vëmendjen. Është e vetmja mënyrë dhe rrugë sesi mund të ecim në plane afatgjate dhe jo me suksese rastësore. Është e vetmja mënyrë sesi ekipet mund të ndërtohen me baza të shëndetshme dhe mos t’i varin shpresat e tyre vetëm te një prodhim akademie si Ernest Muçi, te një element si Skuka apo te një blerje si Taulant Seferi.

Nëse një prej këtyre nuk ka qenë në formë për Tiranën e asokohe, për Tiranën e tanishme dhe për Partizanin, skuadra dukej e pafuqishme përpara në Europë. Shpresat janë të pakëta se diçka do të ndryshojë sa i përket hedhjes së vështrimit të shtetit ndaj futbollit.

Pavarësisht dëshirës tonë të madhe pasi e ndjekim futbollin dhe jemi brenda tij, për t’u ndihmuar nga shtetit, duke parë dramën që po përjetojmë në këto ditë me tragjedi dhe ndërrime jetësh të pafajshme, ky vend ka ende shumë për të rregulluar para artit dhe sportit. Ndoshta nuk duhet të ngremë stekën e pretendimeve, por të shohim veten në pasqyrë… /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *