Shumë gazetarë të Rumanisë kanë udhëtuar drejt Shkodrës në mbrëmjen e djeshme për të ndjekur nga afër ndeshjen Vllaznia-Craiova. Mes tyre ishte edhe gazetari i medias rumune “Cuvantul Libertatil” që pasi la përshtypjen për qytetin e Shkodrës, foli edhe për ekipin e Vllaznisë. Me shumë mendjemadhësi, kujtohet diferenca e madhe mes buxheteve të dy klubeve. Madje arrihet deri në atë pikë sa thuhet se nëse Vllaznia do të ishte në Ligën e Parë të Rumanisë, do të zinte vendet e fundit në renditje dhe do të rrezikonte rënien. Ndërkohë ajo që nuk përtypet nga rumunët është optimizmi i presidentit të klubit, Alban Xhaferi, aq sa e krahasojnë këtë të fundit mes ironisë me Roman Abramovic.
“Ashtu si Craiova, edhe Vllaznia është një ekip historik, i dashur me pasion, një skuadër kundër kryeqytetit, rivalë nga Tirana që nuk tolerohen. Vllaznia është një simbol i vërtetë vendas, lind pasione të veçanta. Në çdo hap sheh njerëz të veshur me bluza kuq-blu, të cilat mund t’i blesh për 10-12 euro. Dhe lidhja me lojtarët e ekipit, sidomos me ata vendas, është jashtëzakonisht e ngushtë. Për shembull, pas ndeshjes, autori i golit të barazimit, Hoxhaj, iu bashkua tifozëve të mbledhur në qendër të qytetit për të pirë birrë, duke u pritur ngrohtësisht. Vllaznia ka një buxhet prej 1.3 milionë eurosh, rreth 10 për qind krahasuar me Craiovan, por ambiciet janë të larta. Presidenti i klubit të Vllaznisë ka një pamje të veçantë dhe gjithmonë ka një fjalim super optimist, duke lënë përshtypjen se është të paktën Roman Abramovic.
Stadiumi “Loro Boriçi” ka afërsisht 16 mijë vende dhe është i dyti më i madh në Shqipëri. Biletat e ndeshjes janë mjaft të lira. E megjithatë, disa nga tifozët vendas e ndoqën ndeshjen nga pallatet e afërta, nuk donin të paguanin as çmimin minimal të biletës. Janë mbi 10 mijë spektatorë, mjaft entuziastë, sidomos në momentet e rralla kur ekipi i tyre u jep arsye për t’u emocionuar. Ndeshja nuk është ajo që të tërheq, ritmi është modest, sidomos në një vapë të tillë. Është e ngjashme me atë të vitit të kaluar, ndaj Lacit. Craiova ishte shumë i frikësuar përballë një ekipi modest, i cili vështirë se do të qëndronte në ligën e parë të Rumanisë. Shtypi shqiptar pranoi në reagimet e së nesërmes se “rumunët kishin më shumë iniciativë”, por vlerësoi atmosferën “elektrizuese” në stadium dhe vendosmërinë e lojtarëve të Vllaznisë. “Shanset janë 50-50” do të deklaronin si presidenti i klubit të Shqipërisë ashtu edhe trajneri Mirel Josa, duke konfirmuar se do të japin gjithçka për t’u kualifikuar në Craiova”, shkruhet në artikullin e medias rumune. /Sport Ekspres/