Ekskluzive/ “Te Prishtina ishte kapiteni që fliste në fushë”, gazetari nga Kosova: Lorik Boshnjaku është blerja e sezonit te Vllaznia, nuk po e them kot

Lorik Boshnjaku! Këtë herë nuk ka nevojë për justifikime dhe për të treguar kohën që i nevojitet një lojtari për ambientim. Mbajeni kohën, Loriku flet në fushë që me herën e parë. Nuk shënoi, por ndoshta përjetoi më shumë emocione nga tifozët e Vllaznisë edhe se vetë autori i golit, Ardit Hoxhaj.

Jo në pak situata ka përfituar duartrokitjet e shkodranëve në Loro Boriçi. Ose më saktë i ka merituar, pasi fjala përfituar nuk i qëndron përshtat kësaj performance të sotme të nivelit të lartë kundër një ekipi si Craiova. Por a ishte rastësi ky 90 minutësh? Lorik Jashanica, gazetari shqiptar që punon në Kosovë për “GazetaBlic” mendon se jo, madje nuk ngurron që ta quajë për Vllazninë si blerjen e sezonit.

“I shpejtë, fizik, lojtar që di të luajë me topin, thjesht mesfushor modern, që i duhet çdo skuadre. Personalisht mendoj se do të jetë blerja e sezonit tek skuadra e Vllaznisë, nuk e them kot, sepse ka vite që e përcjell në Superligën e Kosovës. Tek Prishtina të gjithë e donin, ishte kapiteni që fliste në fushë. Do jetë i njëjti edhe tek Vllaznia, pak fjalë, e shumë punë. Klubi shqiptar ka fituar një lojtar që rrallë gjendet në tregun shqiptar, ai do ta vërtetojë këtë shumë shpejtë. Vllaznia është me fat që ka një lojtar si Boshnjaku”, tha Jashanica. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *