Vllaznia do të përballet në mbrëmjen e nesërme kundër Craiovas. Shkodranët do të kërkojnë që të përsërisin suksesin e Lacit, për të befasuar gjigandët rumunë dhe për të kaluar në turin e tretë të Conference League.
Megjithatë presidenti i Craiova, Sorin Cartu, nuk e merr fare në konsideratë këtë mundësi. Për më tepër ka zgjedhur hapur që të mos respektojë Vllazninë teksa shprehet se po mendon që tani për rivalin e turit të tretë, Zorya Luhansk.
“Pres të marrim një rezultat që do të na mundësojë turin e tretë. Po mendojmë për kundërshtarin e radhës tani, Zorya Luhansk. Ndeshjet ndërkombëtare janë të ndryshme nga ato të kampionatit. Në ndeshjet ndërkombëtare vendoset shumë krenari dhe ambicie, sepse ju përfaqësoni vendin tuaj.
Vllaznia do të ketë një trajtim specifik, si një skuadër shqiptare. Ai nuk është një kundërshtar i frikshëm, por duhet respektuar çdo kundërshtar në kupat evropiane. Nuk po mendoj për një rezultat negativ”, tha Cartu sipas asaj që raporton “Fanatik”. /Sport Ekspres/