Visar Bekaj ka qenë i pranishëm përkrahë Orges Shehit në konferencën e sotme për shtyp. Portieri i bardhebluve ka folur në prag të sfidës së nesërme kundër Zrinjskit, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës. Bekaj thotë se e kanë analizuar mirë kundërshtarin, ndërsa ndalet edhe te ndeshjet me Dudelanzhin, për të marrë përgjegjësitë mbi golat e pësuar. Gjitashtu, gardiani i përfaqësueses së Kosovës ka zbuluar edhe fjalët e Shehit pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
“Edhe unë marr përgjegjësitë e mia dhe mendoj se kam atë kualitet që mund t’i ndaloja ato gola, jam aty për të ndihmuar ekipin. Psikologjikisht kemi qenë pak keq, gjatë ditëve normalizohet situata, s’kemi kohë te merremi me ndeshjen që ka kaluar, tashmë duhet të fokusohemi te ndeshja që kemi para. Ne mundemi të bëjmë më mirë, sadopak e kemi analizuar kundërshtarin, e kemi nënvlerësuar pak më shumë seç duhet, por shpresoj që në këtë ndeshje të jemi më mirë.
Duhet të kemi kujdes, nuk duhet të nxitojmë, të jemi të bashkuar, të kemi besim, siç kemi qenë në kampionat. Ne duhet ta vlerësojmë kundërshtarin, po shpresoj që në këtë ndeshje të mos ketë çfarë ka bërë në të kaluarën, por të fokusohemi te ndeshja. E kemi analizuar shumë dhe shpresoj ta kalojmë.
Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes me Dudelange dhe çfarë këshille ju ka dhënë për ndeshjen e radhës? Na qetësoi dhe na tha që kjo është një mungesë eksperience, por edhe më herët na ka thënë që 20% duhet të fitojmë me të kaluarën dhe 80% me të ardhmen, duhet të përmirësojmë gabimet që kemi bërë në atë ndeshje dhe të ecim përpara“, ka deklaruar Visar Bekaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/