Dritan Mehmeti! Sa shumë e lehtë është për të kryqëzuar një trajner pas një eliminimi në Europë apo humbje të një derbi. Gishti mund të drejtohet kaq lehtësisht mbi të, për t’i faturuar gjithçka. Por asnjëherë nuk jemi në gjendje të kuptojmë se deri ku është përgjegjësia e trajnerit dhe kur fillon ajo e lojtarëve.
Në një vend si ky i yni që ashtu si edhe në çdo fushë tjetër të jetës, edhe në trajnim, janë po të njëjtat emra që qarkullojnë prej vitesh, dalje të tilla si e Mehmetit apo edhe e Shehit duhen përgëzuar dhe mbështetur. Idetë e reja sjellin gjithmonë vetëm përmirësim.
Ndërkohë futbolli duket shpeshherë si një lloj burse e pamëshirshme ku mund të flesh hero dhe të zgjohesh i kryqëzuar. E tillë ishte edhe situata për Mehmetin që pas asaj fitore të parë kundër Saburtalos në transfertë u ngrit në qiell të shtatë dhe më pas u kritikua po aq shumë. Mehmeti është po ai, i njëjti, i një dite më parë, nuk mund të bëhet i mirë dhe i keq brenda kaq pak kohe.
Por le t’i kthehemi sërish temës së ekipit gjeorgjian me Partizanin. Fitorja shihej si detyrim dhe humbja si dështimi i madh, pa pasur lidhje shumë me realitetin në fakt. Asnjë ekip shqiptar nuk ka hyrë ende në grupet e Europës me përjashtim të Skënderbeut, pa pasur histori dhe traditë në këto përballje.
Ndërkohë Saburtalo ishte ekipi që kushtonte më shumë nga kundërshtarët e mundshëm të kryeqytetasve dhe vlera e tyre përllogaritet me 4.21 milionë euro në “Transfermarkt”, thuajse sa e Partizanit që shkon në 5.17 milionë euro.
Për më tepër Saburtalo ka vetëm 2 lojtarë të huaj që nuk janë nga Gjeorgjia në gjithë përbërjen e saj dhe shumë prej elementeve të saj vijnë nga akademia, duke u njohur “me sy mbyllur” me njëri-tjetrin. Po ashtu kampionati gjeorgjian kuotohet më tepër se ai shqiptar. E parë në këtë këndvështrim, përse fitorja e Partizanit duhej të ishte një detyrim?
Po flasim për ekipin që nga ndeshja e sezonit të shkuar me Baselin kishte vetëm 4 titullarë të mbetur te ajo e djeshme me Saburtalon. Këtu dalim edhe në logjikën e formulës së suksesit që ofron Laçi. E pranuar edhe nga vetë trajneri Shpëtim Duro, kurbinasit kanë mbajtur 70% të bazës nga sezoni i kaluar dhe për këtë arsye lojtarët kanë nisur të krijojnë reputacion në Europë.
Kjo është rruga ku duhet shkuar, çdo veprim tjetër i marrë në shpejtësi e sipër, në mbingarkesën e gjendjes emocionale, është tërësisht i gabuar. Prova e Dritan Mehmetit u dha në sezonin e kaluar ku Partizani pas atij kaosi që u përfshi për të rrezikuar edhe zonën e ftohtë, e mbylli diskutimin e kalimit në Europë. Nisur nga ai test i kaluar me sukses dhe duke marrë notë të lartë, padyshim që trajneri e meriton sërish besimin e drejtuesve të klubit.
Sigurisht, nëse nuk do të kalohet në situata të tilla ku pas një sezoni të shpallur kampion, në tjetrin mbetesh jashtë Europës. Çdo ndryshim rrënjësor i tillë dhe krejtësisht i palogjikshëm sjell mungesa ekuilibri që shkaktojnë kaosin e madh në kampionat për të humbur rrugën.
Partizani e ka nisur një të re dhe mësimet që po merren në këtë periudhë do të jenë leksioni më i mirë për të dalë në historinë e suksesit të nesërm. Kualifikimet dhe arritjet e mëdha nuk arrijnë kaq thjeshtë, me një të kërcitur të gishtit. Kualifikimet dhe arritjet e mëdha nuk arrihen duke menduar se ne jemi shqiptarë dhe duhet të fitojmë me çdo popull tjetër vetëm për shkakun e prejardhjes tonë, se ata janë inferior karshi nesh.
Ato kërkojnë modele të ofruara që ngjasojnë me Laçin për të krijuar balancën me pjesëmarrjet e përvitshme europiane dhe më pas për të korrur frytet, jo të rastësishme dhe 1-vjeçare. Për të gjitha këto pika të sipërpërmendura, gjithkush duhet të lëviz te Partizani, por trajneri është i fundit që duhet hequr karrigia. /Sport Ekspres/