Momenti për t’i shtrënguar duart fituesit! Mes Saburtalos dhe Partizanit fitoi ekipi më i mirë, koha për t’iu kthyer punës

Saburtalo-Partizani u parashikua një ndeshje e vështirë që në hedhjen e shortit. Të kuqtë nuk shquhen për ndonjë fat të madh në gogla, vjet do të eliminoheshin nga Baseli. Këtë herë kryeqytetasit kapën që në turin e parë rivalin më të vështirë në letër, ndërsa në të dytin i priste Steaua e Bukureshtit.

Në bazë të “Transfermarkt”, të dy ekipet kishin thuajse vlera të njëjta. Por nisur nga ajo fitore në transfertë e Partizanit, kualifikimi po dukej si histori e mbyllur. Ndeshja e parë shkoi në perfeksion për 88 minuta. Ekipi i Mehmetit e bazoi lojën në kundërsulme duke shfrytëzuar maksimalisht shansin e saj, por duke humbur një rast të pastër me Cvetanovskin.

Minutat shtesë ishin një horror i vërtetë ku vetëm një forcë hyjnore mund ta shpjegojë sesi Saburtalo nuk shënoi golin e barazimit me të paktën dy raste të pastra. Për të kaluar te kjo përballje e sotme, ku në 20 minutat e para kishte një presing të madh dhe shumë mundësi për miqtë.

Ajo që u pa ishte rënia fizike e lojtarëve të Partizanit dhe mungesa e kthjellësisë në shumë momente, për t’i dhuruar mundësi të pastra shënimi Saburtalos. Minuta e 88 ishte pika kulminante ku një prej lojtarëve kundërshtarë nuk shënoi dot kur ishte në vijën e portës. I pari që vendosi duart në kokë ishte Belica që ende nuk po e kuptonte sesi lojtari i Saburtalos nuk shënoi golin e kualifikimit, për të vazhduar me stolin e gjeorgjianëve që u kthyen nga rruga pasi kishin hyrë për të festuar.

Në fund, 38 goditjet e Saburtalos kundrejt 17 rasteve të Partizanit janë tregues i qartë se në fushë fitoi ekipi më i mirë. Të kuqtë kanë ende punë përpara për të bërë, teksa në mbrëmjen e sotme zhgënjyen shumë lojtarë për ta nisur me Skukën, që sot mund të ketë bërë ndeshjen më të dobët te Partizani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *