Vllaznia ka marrë një tjetër fitore në miqësoret që po zhvillon në Austri. Këtë herë kuqeblutë kanë mposhtur me rezultatin 0-2 Lafnitzin, ekip ky që sezonin e shkuar përfundoi në vendin e katërt në Ligën e Dytë austriake. Golat u shënuan në pjesën e dytë të takimit.
Ai që zhbllokoi rezultatin ishte Mehdi Çoba, i cili i gjendur fare pranë vijes fatale nuk e ka të vështirë ta shtyjë topin në rrjetë. Në listën e golashënuesve futet edhe kapiteni Gurishta. Mbrojtësi shkodran merr i vetëm krahun e djathtë dhe depërton në zonën kundërshtare, nga ku me një diagonale gjen rrjetën.
Kjo ishte fitorja e dytë që Vllaznia merr në Austri, duke treguar formë të mirë përpara sfidave të turit të dytë të Ligës së Konferencës, pavarësisht se kundërshtarët që ka pasur përballë nuk kanë qenë të një niveli të lartë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/