Laçi nuk e ka nisur ashtu siç pritej ndeshjen e parë në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Kurbinasit janë ndalur në një barazim 0-0 nga Iskra. Ishin bardhezinjtë ata që dominuan takimin e luajtur në “Elbasan Arena“, por në fund u mungoi goli. Laçi shfaqet rrezikshëm që në minutat e para të lojës, ku Guindo humbi një rast të artë në zonë.
Mazrekaj shfaqej si një kërcënim konstant në krahun e majtë, ndërsa nuk munguan edhe goditjet në portën e malazezëve. Por rezultati mund të kishte folur ndryshe nëse arbitri kryesor i takimit do të kishte akorduar atë penallti në minutën e 66. Akiniemi zotëron mirë topin brenda zone dhe kërkon të kalojë mbrojtësin. Topi kalon pas shpinës së kundërshtarit, por sulmuesi i Laçit rrëzohet pas kontaktit në zonë. Pas tyre qendronte vetëm portieri, por kaq nuk mjaftoi që gjyqtari ta shihte si një 11 metërsh të pastër këtë rast.
Lojtarët e skuadrës kurbinase protestojnë të gjithë rreth kryesorit të takimit, por ai qendron i palëkundur në vendimin e tij. Një ato ndeshje, kur te Laçi kuptojnë më së miri rëndësinë e VAR-it. Nënkampionët e Superiores vazhdojnë deri në fund presingun ndaj Iskras, ku nuk mungojnë edhe rastet e shumta për shënim. Megjitahtë fati nuk ishte në krahun e tyre dhe ekipit të Duros i duhet të mjaftohet me një barazim 0-0 dhe të provojë kualifikimin në Mal të Zi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/