Tirana e ka humbur ndeshjen e parë kundër Dudelange në shifrat 1-0 në transfertë. Ishte një nga ato përballjet që luhen dhe në fund nuk kuptohet sesi mbaruan 90 minutat, pasi në të vërtetë, nuk u zhvilluan kurrë. E tillë ishte sfida e bardhebluve që dukeshin sikur ishin ende me pushime në rastin më të mirë ose kishin hyrë me hije të rëndë në fushë në më të keqin.
Në përgjithësi ajo që zhgënjeu më tepër nga ekipi ishte mënyra sesi u paraqit në fushë. Duhej ta shihje mirë fanellën për të kuptuar se bëhej fjalë për Tiranën. Asnjë lidhje e vetme me mënyrën e paraqitjes gjatë gjithë kampionatit, ku aksionet krijoheshin me llogjikë dhe kombinime mbreslënëse.
E gjithë pjesa e parë shkoi në të njëjtën mënyrë: “Top i gjatë, Taulant Seferi”. “Pasim i shkurtër, Taulant Seferi të çon përpara”. Kur luhet kështu, Seferi konsumohet shumë dhe trajneri kundërshtar merr masa shtesë për ta izoluar. Kështu në pjesën e dytë Tirana nuk u duk fare në aksionet sulmuese, përveçse në shtesë.
Redon Xhixha ishte një nga zhgënjimet e ndeshjes. Asgjë për t’u përmendur, përveç atij rastit flagrant që humbi kur tentoi të hipnotizonte mon.strën e mbrojtjes së Dudelanges që u afrua mes eksperiencave në grupet e Champions League, por në fund përfundoi i hipnotizuar prej tij. Për të mos folur për Da Silvan, që ishte një “fantazëm” që mund të shihej me sy të lirë.
Tirana po luante praktikisht me 10 lojtarë që nga nisja e lojës, kjo formë e Da Silvas të bënë që të kujtosh me mall Ngon. Kjo do të thotë shumë! Mesfusha ishte po në një ditë skandaloze, por Limaj e kryesonte mbrëmjen e horro.rit.
Tërësisht jashtë formës së tij, pasime të gabuara, asnjë përgjegjësi e marrë për të nxjerrë ekipin para dhe në fund si “qershi mbi tortë” vjen kartoni i kuq. Shumë më mirë nuk bëri as Totre. Aleksi? Shihej në fushë, por ende larg formës së Tolit.
Ky i fundit e ndihmonte Tiranën më tepër në daljet e sulmit. Megjithatë nëse Limaj nuk do të bën dot Limajn në këtë fazë të Championsit, atëherë nuk mund të presim nga Aleksi që të bënte Tolin. Faza mbrojtëse nuk ishte në lartësinë më të mirë të mundshme, por duke parë dy repartet e tjera, duhet vlerësuar. /Sport Ekspres/