Të pranishëm ishin Halili dhe Kapllanaj, presidenti Duka pritet në takim nga Ministrja e Arsimit e Sportit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u prit sot në një takim nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi për të diskutuar në lidhje me propozimet e bëra në tryezën e fundit që FSHF organizoi me klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë për gjetjen e mundësive për incentivimin e futbollit.

Në këtë takim Presidenti Duka shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, presidenti i Klubit Tirana, Refik Halili dhe presidenti i klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe Zv.Ministri i Arsimit e Sportit, Endrit Hoxha dhe përfaqësues të tjerë të MAS.

Fillimisht, Ministrja Kushi falënderoi Presidentin Duka dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për organizimin e shkëlqyer të finales së UEFA Conference League në Tiranë, që ishte në reklamë e fantastike për Shqipërinë dhe i dhuroi vendit një imazh tejet pozitiv në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo dha mbështetjen maksimale për ndryshimin e ligjit të sponsorizimeve, që do t’i jepte një nxitje investitorëve për t’u afruar në sportit shqiptar dhe se duhet të shikojmë të gjithë modelet e suksesshme perëndimore për të arritur të implementojmë në mënyrë të suksesshme në realitetin shqiptar. Ministrja Kushi theksoi se është e gatshme të mbështesë kërkesat e komunitetit të futbollit dhe gjetjen e mënyrave për incentivimin financiar të klubeve e akademive në mënyrë që të krijohen kushtet e duhura për fëmijët që të luajnë sportin më të dashur në vend.

“Duam të dëgjojmë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital ndaj nisëm sot një dëgjesë me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim që të shkëmbejmë opinionet dhe qëndrimet tona me frymë dialogu e bashkëpunimi edhe për ligjin e sponsorizimeve dhe çështje të tjera që lidhen me sportin. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në vend dhe takime të tilla janë të dobishme për të ecur bashkërisht përpara e për të ndërmarrë politika që garantojnë një sport dinjitoz. Në ditët në vijim do të zhvillojmë dëgjesa edhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi”, – tha Ministrja Kushi.

Ndërsa, Presidenti i FSHF-së në një prononcim për median pas takimit deklaroi se është e rëndësishme që qeveria të mbështesë zhvillimin e futbollit, që nuk është thjeshtë një garë sportive, por luan rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se gjatë takimit i janë parashtruar Ministres propozimet që kanë dalë nga tryeza me klubet për ligjin e sponsorizimeve, krijimin e një fondi për mbështetjen e futbollit apo edhe alternativa e hapjes së basteve sportive, në mënyrë që të ardhurat nga taksat e këtij aktiviteti të përdoren për zhvillimin e futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *